Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria përgatitet të presë një nga turnetë më prestigjiozë të rrethit të Federatës Ndërkombëtare të Padelit. FIP Platinum vjen në Tiranë: nga 26 deri më 30 maj, Sheshi ikonik Skënderbej do të jetë shtëpia e Padelit, një sport që është bërë global me një shpejtësi rekord.
FIP Platinum Albania, i organizuar në bashkëpunim mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Federatës Shqiptare të Padelit dhe Federatës Ndërkombëtare të Padelit, do të presë për një javë disa nga lojtarët dhe lojtaret më të mirë në botë. Me hyrje falas në tribunat e fushës qendrore dhe në tre fushat e tjera që do të ngrihen në Sheshin Skënderbej, spektakli dhe argëtimi janë të garantuara. FIP Platinum Albania do të jetë një mundësi e madhe për të zbuluar padelin dhe për të forcuar imazhin e vendit si një destinacion për evente të mëdha sportive të nivelit botëror.
Do të jenë 28 çifte që do të përbëjnë tabelën kryesore për meshkuj dhe femra, e planifikuar nga e marta 26 maj, deri të shtunën, 30 maj. Ndërkohë, 32 çifte do të marrin pjesë në fazën kualifikuese, e cila nis të dielën, më 24 maj. Fondi i çmimeve do të jetë 150 mijë euro, ndërsa fituesit – si në çdo turne FIP Platinum – do të fitojnë 300 pikë në renditjen botërore FIP, klasifikimi ndërkombëtar i Padelit.