Mbetet më pak se një javë nga nisja e FIP Platinium Albania— që do të zhvillohet në Sheshin magjepsës Skënderbej në Tiranë nga 26 deri më 30 maj — ku do të zbresin në fushë protagonistët e Padelit Botëror. Në kryeqytetin shqiptar, 19 yje të Top 30 të renditjes për meshkuj FIP do të garojnë për të ngritur trofeun. Përveç dy çifteve kryesore të turneut, Mike Yanguas-Franco Stupaczuk (1) dhe Coki Nieto-Jon Sanz (2), do të jenë të pranishëm edhe emra të mëdhenj si Martín Di Nenno, Javi Garrido, Javi Leal dhe Tino Libaak.
Martín Di Nenno Argjentinasi, i lindur në vitin 1997 në Ezeiza pranë Buenos Aires, bën pjesë në grupin e lojtarëve që kanë udhëhequr padelin në epokën moderne. Aktualisht numri 13 në renditjen FIP, gjatë karrierës së tij ka qenë edhe numri 3 në botë. Ai u konsolidua duke luajtur përkrah legjendës spanjolle Paquito Navarro, me të cilin ndau fushën nga viti 2021 deri në 2022. Pas përfundimit të asaj eksperience, u rikthye të luante me partnerin me të cilin kishte dominuar në nivelet e moshave, Franco Stupaczuk, duke formuar çiftin e famshëm “Superpibes”. Më pas ndryshoi disa partnerë, mes tyre Juan Lebrón dhe Leo Augsburger. Në pritje për t’u rikthyer të luajë me Navarro duke nisur nga Major-i i Romës, në FIP Platinium Albania do të zbresë në fushë së bashku me Jairo Bautista (25).
Gjatë karrierës së tij, Di Nenno ka fituar tre turne Premier Padel me tre partnerë të ndryshëm: Doha 2023 me Stupaczuk, Finlanda 2024 me Juan Lebrón dhe Madridi 2025 me Leo Augsburger, duke mposhtur në finale numrat një të renditjes, Arturo Coello dhe Agustín Tapia. Në vitin 2024 ai u shpall edhe kampion bote me Argjentinën, duke mundur Spanjën në finalen e FIP World Padel Championships.
Martín përfaqëson një figurë qendrore të Padelit edhe për historinë e tij personale. Në vitin 2016, në moshën 19-vjeçare, ai u përfshi në një aksident shumë të rëndë automobilistik. Dy miqtë që udhëtonin me të humbën jetën, ndërsa Di Nenno qëndroi për dhjetë ditë në terapi intensive. Nga përplasja ai pësoi frakturë të femurit të këmbës së djathtë dhe të kupës së gjurit të majtë. Diagnoza e mjekëve dukej si një vendim përfundimtar: ai nuk do të mund të luante më Padel. Por Di Nenno vendosi të mos dorëzohej dhe nisi të punonte fort për t’u rikthyer në fushë. Pas muajsh rehabilitimi, ai arriti të rikthehej në elitën e sportit.
Javi Garrido Spanjolli ka lindur në Córdoba të Spanjës në vitin 2000 dhe në Tiranë do të luajë me brazilianin Lucas Bergamini. Goditja e tij më e fortë është smash-i, karakteristikë që e lejon të shprehet më mirë sidomos në fusha të shpejta dhe outdoor. Aktualisht numri 19 në renditjen botërore, më parë ka arritur edhe Top 10. Së bashku me Bergamini, Garrido në vitin 2024 arriti finalen e Premier Padel P2 në Newgiza, të humbur ndaj Franco Stupaczuk dhe Mike Yanguas. Po në vitin 2024, Garrido kishte arritur finalen e Major-it të Dohas në Katar, pikërisht në çift me Yanguas, duke sfiduar Tapia dhe Coello. Në karrierën e tij ai ka luajtur edhe përkrah numrit 3 aktual, Federico Chingotto.

Tino Libaak Ngjitja e argjentinasit erdhi në vitin 2023, kur së bashku me bashkëkombasin Leo Augsburger u shfaq në turnetë Premier Padel. Këta dy lojtarë ishin heronjtë e “Seleccion Albiceleste” në finalen e FIP World Cup Championships 2024: pikërisht ata luajtën ndeshjen vendimtare në finale kundër Spanjës, ku mposhtën Mike Yanguas dhe Paquito Navarro në tie-break-un e setit të tretë, duke i dhuruar trofeun vendit të tyre me një arritje historike. Në Shqipëri, Libaak do të jetë i pranishëm dhe do të luajë së bashku me Alex Chozas.

Të tjerët Përveç emrave të përmendur, Tirana do të mirëpresë shumë prej lojtarëve më të mirë të Padelit Botëror. Mes protagonistëve bie në sy rikthimi si çift i Javi Leal (12) dhe Fran Guerrero (16), fitues në shkurt të FIP Platinum në Marsejë dhe gjysmëfinalistë në edicionin e kaluar të Italy Major Premier Padel në Romë. Në plan të parë janë edhe çiftet Juanlu Esbri (22)-Alex Ruiz (23), Maxi Arce (46)-Alex Arroyo (20) dhe Javi Barahona (26)-Gonza Alfonso (31). Në FIP Platinium Albania do të jetë gjithashtu edhe lojtari që mban rekordin e fitoreve në CUPRA FIP Tour (15), së bashku me Gonzalo Rubio: italiani Flavio Abbate, i cili do të luajë së bashku me Alvaro Montiel.